Dinamo fut në “xhep” edhe Skënderbeun

Blutë kryeqytetas s’dinë të ndalen, “ujqërit e dëborës” nuk kafshojnë dot në “Qemal Stafa”

Dinamo - Skënderbeu 3-0
Shënues: G.Muça 10′, Malakarne 20′, Vila 69′

“Radiografia”

Dinamo: Kotorri, Xhafa, Pisha, Malakarne, Ferraj, Diop, G.Muça, Soza (Peqini 85′), Vila, Timpanaro (Del Monte 57′), Sefa
Trajner: Sh. Muça
Skënderbeu: Kosturanov, Doku (Aliu 57′), Lika, Çajku, Memelli, Çipi, Ballço (Mitraj 46′), Frashëri, Muça (Islami 68′)
Trajner: A.Marko
Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartaraj (Fier), A.Lamçe (Patos)
Kartonë të verdhë: Pisha, Frashëri, Çajku, Lika, Soza
Karton i kuq: Diop

8′- Ferraj tenton pas një goditjeje dënimi, por pret në pozicion portieri Kosturanov.
10′- Rrëmujë në zonë nga goditja e këndit dhe topi përfundon në këmbët e Timpanaros, që shërben direkt për Gentian Muçën. Ky i fundit nuk gabon dhe me të majtën e dërgon topin në rrjetë. 1-0 për dinamovitët.
20′- Aksion i bukur i bluve. Soza hapet bukur në të djathtë dhe kroson në zonë për patriotin e tij, Malakarne, i cili me kokë shënon golin e dytë të takimit. 2-0.
45′- Gentian Muça godet fuqishëm nga distanca, por topi i devijuar nga një mbrojtës përfundon në duart e portierit mik.
69′- Vila shërben bukur për Ferrajn në të majtë dhe vërshon drejt zonës së rreptësisë, ku merr një krosim “të artë” nga nr.7 i bluve. Durrsaku i bluve nuk fal dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë, duke e dërguar në 3-0 rezultatin e ndeshjes.
77′- Ferraj është në një ditë të mirë dhe sërish në krahun e majtë jep një krosim perfekt për Sefën, që i vetëm përpara portës mike godet me kokë, por pret në pozicion Kosturanov.
90′- Frashëri futet bukur në zonë dhe shënon, por asistenti Lamçe sinjalizon një pozicion jashtë loje të dyshimtë, për të cilin edhe vetë sulmues korçar proteston.


Komenti

Dinamo dhe Skënderbeu janë përballur në javën e 19-të të kampionatit të 71-të kombëtar në një ndeshje me emocione të pakta. Krahas të ftohtit në shkallët e stadiumit, fansët e pranishëm, por edhe mediat dhe personalitete të futbollit dhe fushave të ndryshme, duhet të bëjnë llogarinë edhe me një ndeshje të nivelit amator në aspektin e përballjes. Pasi blutë kryeqytetas, duke parë vendin kanë bërë edhe kuvendin, duke shënuar 3 gola në portën e korçarëve, të cilët janë shfaqur tepër të lodhur përballë Dinamos në “Qemal Stafa”. Por çalimi i një sfide të rivalizuar dhe për t’u ndjekur me interes sigurisht ka qenë skuadra nga Korça, e cila seriozitetin që përjeton një ndeshje futbolli dhe vështirësitë momentale që po kalon, po e tregon që tek uniformat e veshura në sfidën e djeshme.

Rasti më konkret ishte ai i Ballços, i cili mbi shpinë mbante nr.20 dhe te mbathjet sportive kishte nr.14, ndërkohë që edhe Doku në fanellë mbante 2 dhe tek të mbathurat 17, numër që korrespondonte në fanellën e Edi Çajkut. Dinamovitët gjejnë golin e parë shumë shpejt me anë të Gentian Muçës dhe pas 10 minutave, pra në të 20′, do të dyfishojnë me anë të Malakarnes. Pjesa e dytë nis e vrullshme për Skënderbeun, por deri në rrethin e mesit të fushës, pasi sulmi korçar edhe me zëvëndësimet e kryera nuk ka pasur rrezikshmëri në asnjë moment, duke veçuar këtu vetëm një gol të anuluar në fundin e sfidës, i cili meriton moviolë televizive për t’u ekzaminuar.

Dinamo do të mbesë me 10 lojtarë që në minutën e 54-t, kur Diop, pas një goditjeje të Dokut me taka, ndëshkohet nga gjyqtari i ri, Cjapi, me karton të kuq. Gjithsesi, korçarët kanë mbetur të pafuqishëm deri në fundin e sfidës, duke treguar se rruga e tyre në superligë është e shkurtër. Ky Skënderbe nuk ngjan aspak me atë të fazës së parë dhe se ku “pikon çatia” duhet të na e thonë vetë drejtuesit bardhekuq, pasi largimi i 4 futbollistëve me emër në radhët e Besës dhe Kastriotit nuk është rastësi. Duke kaluar te Dinamo, ajo vazhdon e qetë rrugën e saj drejt titullit kampion, edhe pse një ngjarje aspak e këndshme gjatë paradites së djeshme ka tronditur ambientin blu. Tashmë titulli duket i arkivuar dhe, duke parë seriozitetin e Dinamos në kampionat, kampionati i 71-të kombëtar tashmë e ka marrë rrugën drejt klubit “Dinamo”.

Deklarojnë…

Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos: “Normalisht arritëm një fitore të pastër. Ekipi ishte i impenjuar për këtë sfidë, edhe pse përballë kishim një kundërshtar të lehtë, për vetë gjendjen që ka treguar në dy javët e para të kampionatit, ndërkohë që në fazën e parë ka pasur një tjetër “fytyrë”. Dinamo ishte e përqendruar dhe që në fillim arriti të zhbllokojë rezultatin dhe kjo sfidë na ka qetësuar për të ardhmen, por kemi humbur dy lojtarë për ndeshjen e ardhshme. Timpanaro është një lojtar që ka nevojë të futet në ritmet e skuadrës, sepse ka kohë pa luajtur dhe ka mangësi në kondicionin fizik. Por për fazën e mbetur do të na shërbejë.”

Andrea Marko, trajner i Skënderbeut: Nuk është prononcuar për mediat e pranishme.

Të veçanta
- Emiliano Vila ka shënuar ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e dytë personale golin e parë me fanellën e Dinamos.
- Elis Bakaj, nr.19 i Dinamos, pas kartonit të kuq të marrë në derbi, ka munguar në javën e 19-të ndaj Skënderbeut, duke bërë tifo nga tribuna VIP.
- Futbollistët e Skënderbeut kanë pasur ngatërresa në numrat e tyre të mbathjeve sportive, të cilët kanë ngatërruar jo pak edhe gazetarët e pranishëm në tribunë në konstatimin e futbollistëve korçarë.
- Pas ndeshjes futbollistët dinamovitë kanë festuar së bashku me fansët blu në një nga lokalet e kryeqytetit.

Putinçanin trondit ambientin dinamovit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në ambientin dinamovit, teksa blutë kryeqytetas ishin duke drekuar së bashku përpara startimit të sfidës me Skënderbeun. Për një moment mbrojtësi Marko Putinçanin ka humbur ndjenjat, duke pasur nevojë për ndërhyrjen e menjëhershme të mjekëve të skuadrës, Pertef dhe Perli Rusi. Për një moment gjendja është tensionuar, por menjëherë lojtari është dërguar në Spitalin Ushtarak, duke kryer ekzaminime të ndryshme dhe në fund ka rezultuar me një hematomë në kokë, e cila sipas stafit mjekësor, është një “njollë e vjetër”. Gjithsesi, nesër futbollisti do të niset drejt Serbisë për t’u kuruar. Kjo ngjarje ka tronditur të gjithë dinamovitët, të cilët janë futur pak të mërzitur në fushën e blertë, edhe pse në fund arritën të fitojnë një ndeshje pa shumë komente.

Andi Matraxhiu

Piazza Park

Colosseo Hotel

logo_coloseo

Hotel Colosseo | Piazza Park | PVN | Moncafe | Arifi Oil | EHW | Banka Popullore |

Theme Design © Terenc Pepa.
© vllaznia.eu. Faqja zyrtare e klubit te futbollit Vllaznia