Mancaku optimist: Besa do ta rihapë kampionatin

Rikthimi i takimit Flamurtari‑Besa duket se për kavajasit nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Verdhezinjtë janë të bindur se tashmë fitorja ndaj Flamurtarit do të jetë një tjetër tripikësh në tabelën e klasifikimit. Po përpara se të luhet në Vlorë, Besa këtë të diel do të udhëtojë drejt Fierit me të njëjtin objektiv, fitoren. Ndaj fierakëve Besa nuk do ta ketë aspak të lehtë, sepse ndryshe nga herët e tjera, trajneri Shpëtim Duro nuk ka preferuar të shprehet nëpër gazeta për fitore, por po bën kujdes që të besuarit e tij këtë ta bëjnë në fushën e blertë. Në fitoren e fundit ndaj Skënderbeut, në formacionin kavajas munguan për shkak kartonësh kapiteni Bledar Mancaku dhe qendërmbrojtësi Alban Dragusha. Të dy këta futbollistë do të jenë të gatshëm ndaj Apolonisë e po kështu edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi. Ndoshta mund të mungojë Mihani pas dëmtimit në Korçë, si dhe Hoxha, që ende nuk është riaftësuar. Kapiteni Mancaku, që kthehet këtë javë, e vlerëson kështu sfidën me të besuarit e Hasan Likës: “Sigurisht, Apolonia mbetet një rivale e denjë dhe largimi i Haxhibuliçit nuk ka ndonjë ndikim të madh. Vendësit do të kërkojnë fitoren, por të njëjtën gjë do të kërkojmë edhe ne. Pas fitores në Korçë, ku unë nuk luajta, tashmë në ekip ka një frymë dhe besim se duhet të vazhdojmë të jemi në garë për titullin. Një fitore në Fier do të thoshte automatikisht afrim me Dinamon dhe mos harroni që Besa luan sfidën e tretë në transfertë. Unë besoj se një rezultat pozitiv në Fier do të thoshte shumë edhe për takimin e së mërkurës. Besa tashmë është e vetëdijshme se vetëm ajo mund ta hapë kampionatin e ta bëjë më të bukur.” Deklarata e Mancakut nuk mbetet vetëm e tija, pasi të gjithë, që nga presidenti Bizhdili deri te rezerva e fundit, mendojnë si kapiteni Mancaku. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë, por grupi që ka aktualisht Besa e ka kualitetin dhe forcën të fitojë kudo. Ndërsa lidhur me vendimin e komisionit të disiplinës, kapiteni Mancaku respekton vendimin e presidentit Bizhdili, i cili toleroi Flamurtarin për shkak të kampionatit. “Normalisht, nëse ndeshja kthehet e Flamurtari është dënuar të luajë pa tifozë, nuk e kuptoj shkakun përse luhet në Vlorë. Kjo s’do të na pengojë aspak të luajmë e të kërkojmë fitoren. Kudo ku shkojmë, objektivi ynë i vetëm mbetet fitorja,” ‑ përfundon Bledar Mancaku.

Piazza Park

Colosseo Hotel

logo_coloseo

Hotel Colosseo | Piazza Park | PVN | Moncafe | Arifi Oil | EHW | Banka Popullore |

Theme Design © Terenc Pepa.
© vllaznia.eu. Faqja zyrtare e klubit te futbollit Vllaznia