Vllaznia, fitorja me Tiranën kthen besimin
Shumëpak kush e ka menduar një sukses të tillë në opinionin sportive shkodran e më gjerë. Vetë situata aspak e mirë që po kalonte Vllaznis, sidomos pas humbjes me Laçin, e bënte më të paarritshme fitoren. Por ndërkohë në kampin kuqeblu mendonin dhe njëkohësisht e shprehnin se në Tiranë do shkonin për të marrë pikë. Këtë gjë kishte në mendje edhe vetë trajneri Martini i cili që në mënyrën si e ndërtoi formacionin, dukej qartë se kishte një objektiv të vetëm për të mos dalë pa pikë nga “Qemal Stafa”. Hedhja në fushë e vetëm një sulmuesi e tregonte më së miri këtë. Nëse do dilte pastaj ndonjë rast, natyrisht që do shfrytëzohej.
Dhe ashtu në fakt ndodhi. Në të vetmin rast të rrezikshëm të krijuar, Bala ka bërë detyrën. E ka dërguar në rrjetë dhe kaq ka mjaftuar që në Shkodër të rikthehet besimi tek skuadra e tyre. është rikthyer besimi edhe tek vetë skuadra. Trajneri Martini pas ndeshjes është shprehur entuziast për këtë sukses dhe prandaj është shprehur: “E kishim vlerësuar ndeshjen me Tiranën si shumë përcaktuese dhe prandaj luajtëm në atë mënyrë për të mos dalë të mundur nga kryeqyteti. Mendoj se skuadra u paraqit shumë mirë dhe mbi të gjitha rëndësi kanë tre pikët që morën të cilat do të na ndihmojnë shumë për vazhdimin e kampionatit”. Përkrah tij, natyrisht si gjithnjë është edhe Esat Rakiqi, njeriu me një përvojë 30 vjeçare në pankinë. Numri 2 i stolit shkodran nuk merret shumë me lojën e zhvilluar por ndalet më tepër tek pikët e marra. “Të them të drejtën nuk është se kemi zhvilluar lojën tonë më të mirë. Nuk kemi shkëlqyer në këtë ndeshje por morëm pikët, ata që na mungonin jo vetëm për këtë situatë që po kalojmë por ndaj Tiranës na kanë munguar prej vitesh. Kam shumë vite që punoj si trajner i Vllaznisë dhe të rralla kanë qenë rastet kur e kemi mundur këtë skuadër Brenda në fushën e saj. Prandaj dhe kjo fitore merr vlera më të mëdha. Kur thashë që nuk luajtëm shumë mirë, kisha parasysh faktin se lojtarët ishin nën një presion të madh dhe për këtë arsye nuk arritën të shprehnin siç duhet vlerat e tyre në fushën e lojës. Gabimin e bërë me Laçin besoj se e korigjuam dhe tashmë duhet të shohim përpara për të përmirësuar edhe më shumë renditjen në kampionat. Tani nis pjesa më e vështirë sepse fillojnë edhe ndeshjet e kupës dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të gabuar sa më pak”- ka thënë Rakiqi. Vllaznia në këtë mënyrë e ka përmirësuar disi imazhin e saj por kjo nuk mjafton sepse renditja është sërish ajo që nuk i lë të qetë. Të renditurit sërish në vendin e nëntë, kërkon të tjera fitore si kjo me Tiranën. Shkodranët më shumë sesa për asgjë tjetër kanë nevojë për pikë në mënyrë që edhe në kampionat të ndihen të qetë. Për të synuar pastaj për objektivin e tyre madhor, Kupën e Shqipërisë.
Gjergj KOLA



