Teuta kërkon të marrë hak për dy humbjet

Pasi kanë mbyllur me një rezultat pozitiv ndeshjen e parë të kupës, durrsakët e kanë kthyer vëmendjen e tyre te kampionati, ndërsa synojnë për ta nisur me sukses fazën e tretë të kampionatit. Ashtu si dy fazat e para, Teuta do ta hapë fazën duke u përballur me Apoloninë. Kjo skuadër ka qenë një mur i pakalueshëm për skuadrën bregdetare në dy fazat e mëparshme, kështu që Teuta po e vlerëson maksimalisht këtë sfidë, për të arritur fitoren e parë përballë ekipit të Likës. Sipas mbrojtësit Shaqir Stafa, loja e durrsakëve do të jetë e përmirësuar në ndeshjen kundër Apolonisë, sepse vetëm kështu mund të merren tri pikët: “Apolonia është “kockë e fortë”, por ne do të marrim “hak” për humbjet që kemi pësuar në Fier dhe sidomos në Durrës, ndaj jemi shumë të motivuar për ta fituar këtë takim. Duhet të jemi të kujdesshëm në parapavijë, ku ka edhe mungesa, sepse Dushku është është në Amerikë. Megjithatë, kjo është një ndeshje, ku do të vendosë forca e grupit dhe ne në “Niko Dovana” kemi treguar përherë që e kemi këtë forcë. Ne do të luajmë për fitore dhe natyrisht, kur flitet përpara ndeshjes, atëherë duhet thënë që shanset më të madha për fitore i ka Teuta, aq më tepër që luajmë në fushën tonë. Do të jetë një ndeshje tejet e vështirë, por ne duhet të marrim patjetër tri pikë, që të ngjitemi në tabelë dhe t’i largohemi Apolonisë, njëkohësisht të shlyejmë dy humbjet me këtë ekip. Në “Niko Dovana”, Teuta del fitimtare, por natyrisht nëse përqendrimi është maksimal,” - thotë Stafa. Në ndeshjen e fundit në kampionat Teuta pësoi tre gola në Korçë, por, sipas Stafës, ishte një rastësi dhe mbrojtësi beson që kjo nuk do të ndodhë më në takimet vijuese. “Dy nga golat e kundërshtarit ishin gjuajtje nga distanca, ndaj ai rezultat nuk është tregues që mbrojtja nuk po funksionon si duhet. Teuta është agresive në transfertë e jo më në Durrës, ku ekipi ynë do të jetë akoma më shumë agresiv, pasi i kemi kualitetet në skuadër për të luajtur në këtë mënyrë. Natyrisht, në prapavijë do të jemi të kujdesshëm për të mos u ndëshkuar, pasi Apolonia ka sulmues të rrezikshëm, si dhe një trajner që e njeh mirë ekipin durrsak, por unë kam bindjen se nëse realizojmë një gol të shpejtë, do të arrijmë ta thyejmë Apoloninë. Ne jemi shumë të motivuar dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën në fushën tonë. Në Durrës, cilido ekip e ka të vështirë të marrë pikë,” - përfundon mbrojtësi i Teutës, Shaqir Stafa.

Piazza Park

Colosseo Hotel

logo_coloseo

Hotel Colosseo | Piazza Park | PVN | Moncafe | Arifi Oil | EHW | Banka Popullore |

Theme Design © Terenc Pepa.
© vllaznia.eu. Faqja zyrtare e klubit te futbollit Vllaznia