Kastrioti e ben rruge Tiranen
Pas barazimit në fazën e parë, kësaj radhe Kastrioti ka arritur që të fitojë ndaj bardhebluve
Pas disfatës në Kupën e Shqipërisë, ku bardheblutë u eliminuan nga Besa, por treguan nivel mjaft të mirë dhe funksionuan gjatë gjithë 90 minutave, dje ata kanë pësuar një humbje të turpshme, madje në pjesën më të madhe të lojës thuajse kanë qenë thjesht inekzistentë në fushë.
Kryeqytetasit kanë zhgënjyer në “Selman Stërmasi”, edhe pse pritej që ata të bënin kthesën dhe të fitonin për të vazhduar synimet për vendin e dytë, mirëpo siç po duken “bathët”, edhe ky objektiv do të jetë larg për ta, për të mos thënë i parealizueshëm, përkundër dëshirës së tyre. Edhe pse loja nisi e shpejtë nga të dy ekipet dhe u duk se ndeshja do të bëhej e fortë, ishin miqtë ata që shënuan të parët, me një gol të ekzekutuar mjaft bukur nga Djarmati dhe më pas arritën të administronin lojën dhe në fund morën tri pikë tepër të çmuara. Tirana e mori lehtë ndeshjen, duke e pasur në njëfarë mënyre fitoren në “xhep”, mirëpo në të vërtetë nuk ndodhi kështu, sepse fusha e lojës tregoi krejt të kundërtën. Skuadra mike nga qyteti i Krujës, në pozita aspak komode në tabelën e klasifikimit, sidomos pas “grushtit” që mori nga disiplina, duket se nuk kishte ardhur në Tiranë thjesht për “piknik”, edhe pse përballë kishte ekipin kampion në fuqi. Krutanët kanë arritur të tregojnë një nivel mjaft të mirë, madje e kishin vlerësur sfidën dhe ia arritën synimit që i kishin vënë vetes. Ata i janë gëzuar shumë tri pikëve të çmuara, që kur i merr në transfertë dhe aq më tepër përballë një skuadre si Tirana kanë vlerë të dyfishtë dhe do të ndikojnë shumë në rritjen e moralit të skuadrës së Ndreut në vazhdimësinë e garës. Edhe mesi i fushës te Tirana la shumë për të dëshiruar dhe dje ka qenë në një një ditë të errët, madje u ndie shumë edhe mungesa e mesfushorit 23-vjeçar Jetmir Sefa, që i ka kushtuar shtrenjtë edhe pankinës bardheblu, që me fillimin e pjesës së dytë është munduar të ndryshojë skemën, por sërish nuk ia ka dalë dot. Krutanët jo vetëm që nuk hapën rrugë, por disa herë e kanë vënë në vështirësi Nallbanin. Në pjesën e dytë ritmi i lojës së miqve ra disi dhe Tirana filloi të kërkonte me ngulm golin e barazimit, por Kastrioti arriti ta mbrojë më fanatizëm golin e shënuar nga Djarmati, duke u larguar me tri pikë mjaft të vyera nga stadiumi “Selman Stërmasi”. Ndërkohë, te bardheblutë duket se sezoni është mbyllur para kohe dhe ata duhet të ruajnë fort pozicionin ku ndodhen në tabelën e klasifikimit.
Deklarojnë…
Devi Muka, trajner i Tiranës: “Skuadra nuk e tregoi vetën në fushë dhe jam shumë i zhgënjyer nga humbja që pësuam, pasi nuk e prisnim. Habitem me disa lojtarë, që, me sa shoh, akoma nuk e kanë kuptuar se kanë veshur fanellën e Tiranës dhe nuk e justifikojnë besimin. Shumë shpejt do të ketë ndryshime në 11-she, sepse përderisa unë qëndroj vetë në stol, të gjithë duhet që ta kuptojnë se te Tirana asnjë nuk është i pazëvendësueshëm. Por po na penalizon shumë edhe mungesa e tifozërisë për të qenë i sinqertë. E kemi deklaruar edhe më parë, por e them sërish, se ata gjithnjë kanë qenë pjesë e skuadrës dhe e kanë motivuar ekipin, madje edhe në situata të vështira.”
Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: “E kishim vlerësuar shumë ndeshjen pasi përballë kishim një skuadër me emër si Tirana. Niveli i lojës shkoi deri te mesatarja. Ne do të vazhdojmë me dinjitet garën deri në fund për qëndrimin në superiore, megjithatë e shoh shumë të vështirë luftën, edhe pse kam besim se në fund do të jemi mes ekipeve më të mira. Ne ishim më të qartë në lojë, më kërkues dhe ia arritëm, kurse Tirana nuk ishte në ditën e saj më të mirë, ndoshta edhe ngaqë ka dalë nga objektivat, pasi, siç dihet, nuk pretendon për titullin kampion.”
Fortuzi: Na vjen turp që kemi qenë bardheblu
Kur rezultati ishte 0-1 për Kastriotin, asnjë nga drejtuesit e bardhebluve që kanë qenë në tribunën “VIP”, nuk e ka kapërdirë mirë disavantazhin. Madje njëri prej anëtarëve të kryesisë së asamblesë së KF “Tirana”, ish-sulmuesi i dalluar ndër vite te skuadra e Tiranës, Indrit Fortuzi, në formë batute dhe mjaft i dëshpëruar u ka thënë miqve të tij që e rrethonin: “Me këto lojëra dhe rezultate dhe në këtë gjendje që ka arritur skuadra jonë, na vjen turp që të themi që kemi qenë ish-lojtarë të Tiranës dhe kemi luajtur me këtë ekip.”
Të veçanta:
- Në tribunën “VIP” ka qenë presidenti i Kastriotit, Artan Djala, që shoqërohej nga kryebashkiaku i Krujës, Lulzim Guni, dhe stafi i tij, ndërkohë që ka munguar presidenti i Tiranës, Refik Halili.
- Edhe në këtë sfidë nuk mungoi prania e prefektit të Qarkut Tiranë, Keltis Kruja, që shoqërohej nga drejtori teknik i bardhebluve, Alban Tafaj.
- Si rrallëherë në stadiumet tona, në tribunën “VIP” e kanë ndjekur ndeshjen edhe gratë e lojtarëve kroatë të skuadrës krutane.
| < Para | Tjetri > |
|---|

