Bylisi në “arrati“, Elbasani dhe Lushnja në barazim
Të dielën u luajt kryesfida e javës së 21-të të kategorisë së parë. Konkretisht, ajo e “Ruzhdi Bizhutës“, mes elbasanit vendas dhe Lushnjës mike. Dy skuadra që mbajnë pozicione ndjekëse të Bylisit, tashmë të “arratisur“ në vendin e parë, por që kanë frenuar njëra-tjetrën, falë barazimit 1-1. Lushnja ka kaluar e para në epërsi, në këtë ndeshje, me anë të sulmuesit beratas Klodian Arbri, por është dorëzuar në minutën e 90-të, teksa verdheblutë kanë barazuar, duke u “hequr nga goja“ 3 pikë të arta lushnjarëve. Në këtë mënyrë, si Elbasani, edhe Lushnja, kanë ruajtur pozitat e tyre në renditje, në vendin e dytë dhe të tretë. Ndërkohë, kujtojmë se kategoria e parë luajti disa ndeshje të shtunën, ky Bylisi mbetet sërish i pandalshëm nga askush. Kësaj here kryesuesit e padiskutueshëm të kategorisë së parë, ballshiotët e drejtuar nga Ilir Spahiu, kanë triumfuar në Librazhd. Bylisi ka mundur 2-0 Sopotin e vendit të fundit, i cili rrezikon seriozisht tashmë rënien një kategori më poshtë. Në Bilisht ka pësuar humbje 2-0 Ada e pretendimeve të mëdha në këtë sezon, ndërkohë që Skrapari ka marrë 3 pikë shprese ndaj Turbinës, në një sfide mbijetese mes tyre. Një gol kanë shënuar skraparllinjtë, megjithatë ka mjaftuar për të marrë fitoren dhe 3 pikët mjaft të cmuara. Gramshi ka mundur minimalisht, 1-0, Pogradecin, duke i ndalur disi liqenorët, që edhe ata, nga ana e tyre, kanë pretendime për t’u ngjitur në superligë. Derbi i fqinjëve, mes Burrelit dhe Besëlidhjes së Lezhës, është mbyllur në barazim 2-2, duke ndarë nga një pikë për secilën palë. Fitore “in extremis” ka marrë Kamza në Memaliaj, falë një penalltie, të kthyer në gol në kohën shtesë nga miqtë. 3 pikë të arta për kamzalinjtë, që vijojnë të besojnë e shpresojnë te realizimi i objektivit të tyre, ngjitja një kategori më lart.
Të hënën, në “Selman Stermasi”, Partizani do të presë Luftëtarin e Gjirokastrës.
06.03.2010
BILISHT SPORT-ADA 2-0
SKRAPARI-TURBINA 1-0
SOPOTI-BYLIS 0-2
GRAMSHI-POGRADECI 1-0
BURRELI-BESËLIDHJA 2-2
MEMALIAJ-KAMZA 0-1
07.03.2010
ELBASANI-LUSHNJA 1-1
08.03.2010
PARTIZANI-LUFTETARI
| Tjetri > |
|---|

